oraeshqipes

“NË HETIME” apo “NËN HETIME”?

Admin Admin Postuar: 26 Janar, 2024

0 Shikime

Komente


“NË HETIME” apo “NËN HETIME”?

“NË HETIME” apo “NËN HETIME”?


Parafjala është pjesë e pandryshueshme e ligjëratës, që shpreh marrëdhënie sintaksore varësie ndërmjet një emri, një numërori ose një përemri në një rasë të caktuar.


Ç'është e vërteta, në mjetet e informimit, në medie, rrjete sociale, Tv, gazeta e institucione shtetërore, shpesh na dalin konstrukte sintaksore të ndërtuara me gabime.


Ndërtimi i fjalisë: Certifikata që nuk je “nën” hetime, dokument ky që lëshohet nga gjykata është ndërtim i gabuar sintaksor. Prandaj, duhet thënë e shkruar: Certifikatë që nuk je “në” hetime! Kur dihet se, parafjalët “nën” dhe “në” kanë kuptime të ndryshme.


Parafjala “nën” tregon sendin, vendin poshtë të cilit ndodhet, lëviz e vepron dikush a diçka ose gjendje më të ulët se ajo e nevojshme a e zakonshme që merret si pikënisje. P.sh.: “nën” tokë; “nën” qiellin e kaltër; “nën”moshën e caktuar; temperatura ishte “nën” zero; fëmijët e lindur “nën” peshë etj.


Fjala: “nën” hetime, është një gabim, sepse i bie që hetimet ecin, vazhdojnë sipër e personi është nën to...


Në të vërtetë njeriu mund të jetë i ndjekur apo “në” hetime, por assesi “nën” hetime, sepse parafjala “nën” ka kuptimin përfundi ndaj kjo duhet thënë shkruar shqip: “në” hetime!


Prandaj, gjykatat tona duhet të lëshojnë dokumentin që dëshmon se personi nuk është “në” hetime dhe jo: “nën” hetime. (Shih faksimilet e mëposhtme)!


Gjithandej këtë ndërtim fjalie me parafjalën “nën” në vend të parafjalës “në ”e kemi vënë re edhe në evente të ndryshme shtetërore ku shkruante: Ky organizim do të mbahet “nën” patronatin e Presidentës..(duhet): “Në ”patronatin e Presidentes dhe jo: “nën” patronatin e … Organizimi për shënimin e Epopesë së UÇK-së mbahet “nën” patronatin e Qeverisë së Kosovës. Në vend që: mbahet “në” patronatin e Qeverisë së Kosovës.


Sidoqoftë, duke përfunduar, le të theksojmë që institucionet tona të të dyja niveleve: qendrore dhe lokale të krijojnë arkiva të shëndosha gjuhësisht dhe të lektoruara mirë, sepse sot frymojmë shtet i pavarur...


Ndryshe, është mjaft interesante se asnjërën nga këto dy fjalë të sipërshënuara nuk i kemi gjetur në FGjSSh as në Fjalorin drejtshkrimor...


Shih më poshtë si janë të shkruara disa nga certifikatat apo vërtetimet e lëshuara.


~Prof. Hamdi Mazreku

Admin
Autor

Admin

Postime tjera

5 Mars, 2024
26 Janar, 2024

Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj